Lec Balca

Lec Balca
Lec Balca

Emni i Lec Balcës ma prek thellë kujtesën dhe ndërgjegjen. Sa herë shkojshim të shpija e tij, ai hapte deren e drunit të lyme bardh si zemra që kishte e na pritte me ambëlsi e dashamirësi. Axha Lec, e kena thirrë të tanë shokët e shoqet e Genit (djalit të vogël të tij).

Axha Lec asht njoftë si nji mësues i shkëlqyshem, instrumentist i evidentuem e ndoshta ma shumë si kompozitor i kangëve për fëmijë, fitues i çmimeve të shumta të festivaleve të fëmijëve ndër vite, zhvillue në Shkodër. Por unë e shoqnia jeme e kena njoft, si axha Lec, si nji njëri i përkushtuem ndaj familjes së tij, me zemër të madhe dhe shumë pozitiv ndaj çdo gjaje e ndaj gjithkujt.

Nji ndër veçoritë e tij ishte se, tregonte motin me nji saktësi të mahnitshme. Gjithmonë më bante çudi kjo aftësi e tija. Kujtoj kur delte jashtë të kopshti i tij që e mirëmbante me nji përkujdesje për tu admirue, çote kryet nalt, sikur t’merrte nji mesazh hyjnor, e mbas pak sekondash, tregote kur kishte me ra shi, me fry erë e prej ku, kur kishte me u ba ma ftoftë, deri edhe kur ishte koha ma e përshtatshme me mbjellë nji lule a nji tjetër. 

Edhe ma përshtypje më bate mënyra se si e diftote kohën. Ai i rrokte fjalët, i thurte varg, ishte i ambël, i ngrohtë, na e diftote motin, si me kenë tue na recitue nji poezi. Axha Lec mbetet nji njeri i vyem në kujtesën tëme, ai kishte zjermin e dijes, dashnisë e mirësisë mbrenda vedit. Mënyra se si komunikonte ishte e butë, injeksion me dije, gjithnji e percjellun me shembuj. Në fakt, gjithcka delte nga goja e tij kishte kët formë mbeshtjelljeje e njerzie.

Kur flitte ai shpesh shifte ka nana Tin, e bashkë me të sikur formoshin nji busull rreferimit të saktë. Nji takim sysh i tyne ishte gjithmonë i mbushun me nji t’vërtet t’panjoftun që veç ato e takoshin pa fjalë.

Dy njerëz, nji vlerë e nji dashni, që rritne 3 fëmitë e tyne, me shumë përpjekje e sakrifica, me kaq mirësi, e gjithnji me qytetari të mirëfilltë. Gjithmonë i kujtoj me andje qasjet e tyne e se si gjithmonë dijshin me fol me ne, në forma bindese dhe shenjë-lanëse n’kujtesë.

Drite i pastë shpirti të dyve. Tokës gjithmonë do ti mungojnë njerëz të tillë. Me mall e dashni do ti kujtoj kurdoherë. Sa herë i mendoj, e çoj kryet nalt, ndoshta për nji mesazh hyjnor, dhe emocioni i mirënjohjes me vjen natyrshëm e buzëqeshja më ngrohet. I falemnders Zotit që pata fatin me i njoftë.

Me dashuni e respekt
Jetmir Troshani

Comments

comments